Kosova u përballë me dy javë të vështira, pasi pandemia COVID-19 mori hov të theksuar, duke e bërë Kosovvën vendin me më së shumti raste për kokë banori në rajon por edhe në Evropë.
Por, në dy ditët e fundit, situata me COVID-19 ka nisur të qetësohet. Të dhënat e nxjerra nga Institucioni Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, tregojnë një ulje të numrit, shkruan Reporteri.net.
Kjo vrehet në përqindjen e personave që rezultonin të infektuar, krahasuar me numrin e mostrave të testuara. Dy javët e kaluara, të infektuar dilnin mbi 50% e të testuarve.
Dje e sot numri i testimeve është rritur, ndërkohë që numri i të infektuarve është zvogëluar. Nga 420 të testuar dje, 119 kishin rezultuar pozitivë, ndërkohë që nga 486 të testuar sot, 132 kanë dalë pozitivicë.
Këtë gjë e ka thënë dje edhe drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, i cili theksoi se Kosova po shkon drejt stabilizimit të gjendjes.
“Prej dje, situata 24 orëshe ka filluar të normalizohet me gjurmimet e gjitha rasteve në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK po vazhdojnë të insistojnë në respektimin e masave, të cilat u shtrënguan javën e kaluar por edhe ditët e fundit./Reporteri.net