Një grua e moshës 84 vjeçare është viktima e tretë që vdes nga koronavirusi sot në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
E moshuara, e cila po trajtohej në shtëpinë e saj, ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i komunë së Fushë Kosovës, Ali Topalli.
“Sot në orët e pasditës kemi edhe një rast me fatalitet në Komunën e Fushë Kosovës, bëhet fjalë për një person të gjinisë femërore, është 84-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e pandemisë, virusit COVID-19. Sipas informacioneve nga stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e ndjera ka vuajtë edhe nga sëmundje të tjera, me të cilat është përballur. Ka qenë në shtëpi duke marrë trajtim”, tha Topalli për Telegrafin.
Pak kohë pasi u bë e ditur për vdekjen e pacientit të 76’të, që doli të jetë nga Podujeva, u njoftua edhe për vdekjen e gruas nga Gjakova, e moshës 80 vjeçare, ndërsa është konfirmuar edhe viktima e tretë e ditës se sotme, një grua tjetër nga Fushë Kosova, që çon në 78 numrin e përgjithshëm të viktimave nga Covid-19 në vendin tonë.
Ndryshe, nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri sot, janë konfirmuar 3 mijë e 508 raste me koronavirus, me gjithsej 78 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.