Gjyqi i pesë oficerëve të policisë filloi sot në Gjykatën e Lartë në Beograd, pas më shumë se 12 vjet nga ngjarja.
Ata akuzohen për bllokime të sigurisë gjatë dhe pas tubimit “Kosova është Serbi” në vitin 2008, kur Ambasada e SHBA në Beograd u dogj.
Në gjyqin e sotëm, u paraqit i akuzuari i parë Slobodan Vukoliq, i cili u deklarua i pafajshëm. Në atë kohë, Vukoliq ishte kreu i Administratës së Policisë së Beogradit dhe drejtonte selinë që u krijua për shkak të tubimit në fjalë.
Ai përshkroi në detaje situatën dhe ngjarjet gjatë asaj dite dhe mbrëmje, duke deklaruar se nuk e kishte autoritetin për të menaxhuar policinë, pasi kishte eprorët e tij.
Në vazhdimin e gjykimit, i cili është caktuar për 17 dhe 18 shtator, Vukoliq do t’i përgjigjet pyetjeve të gjykatësit, dhe më pas mbrojtja do të paraqesë të akuzuarit e tjerë.
Përveç Vukoliqit, shefi i atëhershëm i policisë së Beogradit, Stevan Bjeliq, shefi i policisë së Ministrisë së Brendshme serbe, Mladen Kuribak, Zoran Rashkoviq, shefi i atëhershëm i Departamentit të Operacioneve të Komandës së Xhandarmërisë, dhe komandanti i Xhandarmërisë në Kralevë Bojan Markoviq akuzohen për krimin e aktit të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
Pas një rigjykimi në fillim 2019, Gjykata e Apelit në Beograd liroi shtatë persona me akuzën e hedhjes së gurëve në Ambasadën amerikane.
Dëmi për Ambasadën amerikane, sipas shënimit zyrtar të ambasadës dërguar gjykatës, arrin në gjithsej rreth 900,000 dollarë, por ambasada nuk kërkoi kompensim.
Sa i përket vdekjes së Zoran Vujoviq, i cili u dogj në zjarr në ndërtesën e ambasadës, gjykata beson se shtatë të rinjtë e akuzuar nuk kishin asnjë lidhje me atë tragjedi.