Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, sot gjatë ditës i kanë shkuar për vizitë Bordi i Përkohshëm i KEK-ut, ku diskutuan për objektivat strategjike.
Kurti në Kryeministri, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdarin pritën në takim kryesuesen e Bordit, Rrezarta Pllanën me anëtarët e tjerë të Bordit, Arbnor Pulën, Merita Kasapollin si dhe Bezad Halilaj.
Gjithashtu edhe me kryeshefin ekzekutiv të KEK SH.A, Luigj Ymerin.
“Kryesuesja dhe anëtarët e Bordit e njoftuan Kryeministrin për objektivat strategjike të Bordit dhe Planin e Veprimit, me qëllim të arritjes së qëndrueshmërisë financiare të KEK-ut, përfshirë këtu ndalimin e keqpërdorimeve dhe rritjen e transparencës.
Gjithashtu u diskutua për përpilimin e një strategjie zhvillimore të KEK-ut në konsistencë me planin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatë.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës mbetet prioritet zhvillimi i ndërmarrjeve publike dhe ngritja e kapaciteteve të tyre përmes profesionalizmit dhe alokimit të duhur të resurseve që ato kanë.














