Profesori Noam Chomsky ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është fajtor për vdekjen e mijëra amerikanëve, sepse është duke e shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit për përmirësimin e pozitës së tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në një intervistë për gazetën “The Guardian”, intelektuali radikal tha se presidenti amerikan po ua ngul thikën pas shpinës amerikanëve të shtresës së mesme duke pretenduar se është shpëtimtar i vendit gjatë krizës më të rëndë shëndetësore në shekullin e fundit.
Ai tha se Trump-i, i cili do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, i ka zvogëluar mjetet qeveritare për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe kërkimet shkencore për sëmundjet ngjitëse për përfitimin e korporatave të pasura
Chomsky tha se presidenti Trump i ka braktisur detyrat e tij duke i detyruar guvernatorët e shteteve që të marrin përgjegjësi në luftën kundër virusit. “Kjo është një strategji e mrekullueshme për vrasjen e njerëzve dhe për përmirësimin e politikës së vet zgjedhore”, shtoi ai.
I pyetur nëse e sheh Trump-in fajtor për vdekjen e amerikanëve, ai tha: “Po, por është shumë më keq se kaq, sepse e njëjta vlen edhe në nivel ndërkombëtar”, duke iu referuar vendimit të Shtëpisë së Bardhë për ngrirjen e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Ai tha se ky vendim do të shkaktojë vdekje në Jemen dhe në mbarë Afrikën,transmeton Telegramisot