Një person i armatosur i ka vrarë 16 persona gjatë një sulmi që zgjati 12 orë në rajonin Nova Scotia të Kanadasë. Ky është sulmi masiv më i rëndë që ka ndodhur në historinë moderne të këtij shteti.
Disa trupa të pajetë u gjetën brenda dhe jashtë një shtëpie në qytezën e vogël rurale, Portapique, njoftoi policia, ndërsa disa shtëpive u ishte vënë zjarri. Trupa të pajetë u gjetën edhe në vende të tjera dhe në mesin e të vdekurve ishte edhe një polic.
Zyrtarët thanë se sulmuesi, i identifikuar si Gabriel Wortman, 51 vjeç, është vrarë gjatë përballjes së armatosur me policinë. Autoritetet besojnë se ai mund t’i ketë vënë në shënjestër viktimat e para para se të vazhdonte me sulme të tjera.
Autoritetet njoftuan se sulmuesi e kishte veshur një uniformë si të policisë dhe veturën e kishte maskuar me shenja si të policisë, ndonëse nuk ishte pjesë e forcave të sigurisë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e cilësoi këtë sulm si situatë të tmerrshme gjatë konferencës për gazetarë në Otavë.
Ndryshe, sulmet masive janë të rralla në Kanada, ku ligjet për kontrollin e armëve janë shumë më të rrepta se në Shtetet e Bashkuara, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ky ishte sulmi masiv më i rëndë në Kanada që nga viti 1989, kur një sulmues i kishte vrarë 15 gra në Montreal. Në një sulm tjetër në vitin 2018 ishin vrarë 10 persona, ndërsa më 2017 gjashtë persona.