Deputeti nga LDK-ja, Arban Abrashi, mendon se shefi i tij i partisë duhet të bëhet edhe i Ekzekutivit të Kosovës.
Ai, megjithëse u shpreh se janë të gatshëm të formojnë qeverinë nëse u jepet e drejta kushtetuese, tha se ende nuk kanë një emër për kryeministër, por se Mustafa është profili që i duhet Kosovës.
“Pse të mos bëhet edhe njëherë Isa Mustafa kryeministër? Njohuritë dhe përvojat e tij janë thelbësore për vendin. Pse një profil i tij që i ka dyert e hapura në Ëashington e në Bankën Botërore të mos jetë? Ekonomia e Kosovës është shumë e brishtë dhe nëse na falimentojnë bizneset me nga 2000 punëtorë do të jetë zor të rimëkëmbët, prandaj na duhet dikush që merr fonde”.
Abrashi tha se janë të gatshëm të marrin mandatin edhe nëse Vetëvendosje nuk i përgjigjet presidentit për emrin e mandatarin.
“Vetëvendosja tenton të shtyjë zgjidhjen e problemit të krijimit të qeverisë pas pandemisë. Ne mendojmë se kemi obligime kushtuese që duhet t’i respektojmë. Nga viti 1999 s’ka pasë shkelje më të madhe të të drejtave të njeriut. Edhe socialistët europianë e kanë kritikuar
këtë qeveri për shkak të këtyre veprimeve që po bën edhe pse kanë qenë me të më herët”.
Abrashi tha se Kuvendi duhet ta autorizojë dikë tjetër që të ndërtojë një qeveri të re dhe legjitime. Është një zgjidhje optimale që t’i dalim zot sfidave që po kalon vendi dhe që e presin npas pandemisë.
Nuk kemi të bëjmë me një menaxher të mirë sepse jemi vonuar në shumë aspekte. Për shembull udhëtimi është dashur të ndalet më herët, pastaj menaxhimi i përgjithshëm”.
Deputeti Abrashi tha se duhet të bëhen më shumë teste dhe se për këtë edhe OBSH-ja ka dhënë vërejtje.
“Për menaxhim të keq e fajësoj vetë kryeministrin sepse atë çka kemi parë ditëve të fundit, ai po i fajëson punëtorët shëndetësorë që thonë se nuk kanë bërë asgjë për 20 vite me radhë”, tha në Info Magazine.
Ai gjithashtu ripërsëriti se arsyet e vërteta se pse LDK-ja ka shkarkuar Qeverinë Kurti është për shkak, sipas tij, prishjes së marrëdhënieve me SHBA-të dhe veprimeve të Vetëvendosjes ndaj LDK-së.
“Për këtë ka ra Qeveria dhe s’është as Thaçi, as asgjë tjetër. I kuptoj qytetarët që në mungesë të informacionëve e fajësojnë LDK-në dhe thonë që s’është dashur të prishet qeveria. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht që Kurti të tërhiqet nga vendimin e tij për tarifën. Ne mendojmë se edhe ne kemi hise në ndërtimin e marrëdhënieve me SHBA-në. Ne i kemi mbrojtur këto marrëdhënie. Ne jemi sjell butë jashtë syve të publikut dhe i kemi kërkuar kryeministrit që të tërhiqet”.
“Ai iu frikësua një marrëveshjeje të fshehtë që pastaj doli se është një konspiracion. Një mendim në kokën e disa njerëzve rreth kryeministrit. Koalicionin e ka prishë vetë Kurti, ndoshta me këtë frikë. Pastaj, me shkarkimin Agim Veliut ka bërë edhe shkeljen e marrëveshjes”.
Abrashi tha se janë për një qeveri gjithëpërfshirëse edhe me Vetëvendosjen në krye me ta, por se opsion të dytë e kanë edhe koalicionin me AAK-në dhe Nisma-AKR.