Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare. Duke folur për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se “aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga qeveritë e Republikës së Kosovës as nga kryeministrat e presidentët”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, fillimisht kur do ta dërgoni emrin e mandatarit për formimin e qeverisë te presidenti? Keni thënë së shpejti, por a mund të jeni më i saktë?
Albin Kurti: Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë.
Radio Evropa e Lirë: Kjo çështje bëhet edhe më urgjente marrë parasysh faktin se Kosova dhe e gjithë bota është në luftë me pandeminë?
Albin Kurti: Edhe po të kishim ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, dhe jam i bindur se qeveria jonë këtë po e bën shumë mirë edhe tash si qeveri në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Pra, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, partitë politike në Kosovë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur në favor të formimit të një qeverie tash meqë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve aktualisht nuk ka për shkak të pandemisë. A mendoni të jeni kryeministër në detyrë deri në përfundim të pandemisë?
Albin Kurti: Unë mendoj që më së miri është që të gjithë të bëhen bashkë me qeverinë në detyrë dhe me mekanizmat shtetërorë në luftimin e pandemisë dhe posa ta kalojmë këtë krizë shëndetësore të punojmë e urojmë që kjo të ndodhë me sa më pak pasoja, ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe më pas të kemi edhe kuvend të ri edhe qeveri të re.
Nuk janë partitë politike ato të parat, të cilat kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve, në fakt është vetë presidenti i cili ka shprehur jo vetëm intencën, por edhe planin e tij, për një lloj qeverie të re gjithëpërfshirëse siç është shprehur ai. Pra, bëhet fjalë për një tendencë të presidentit edhe ta formojë edhe ta drejtojë vullnetin politik, që natyrisht është jashtë kompetencave të tij.
Kemi dyfishuar mbështetjen që nga 6 prilli
Radio Evropa e Lirë: Me 2014 në Kuvendin e Kosovës patët deklaruar se republika nuk organizohet rreth të parit në garë, por rreth shumicës së tërësisë. Ku është Lëvizja Vetëvendosje, te e para në garë, apo shumica e tërësisë?
Albin Kurti: Ne jemi të parët në garë dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 e ka imponuar edhe garën zgjedhore në vitet në vijim, deri në ditët e sotme, pa çka se unë konstatoj që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka mangësi e pabarazi dhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka gjithherë drejtësi. Pra, ne jemi ata të cilët i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse mund të mos jemi pajtuar me to dhe e këtillë është situata edhe sot e kësaj dite. Unë respektoj kushtetutshmërinë ndonëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e gjykatës Kushtetuese janë larg prej të qenit të përsosur.
Radio Evropa e Lirë: Me kë do të përpiqeni që në të ardhmen të krijoni shumicën, sepse aktualisht duket se jeni të vetëm?
Albin Kurti: Kurrë nuk ka qenë mbështetja më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje sesa sot. Ne kemi shumë më tepër mbështetje si qeveri në detyrë, sesa kur ishim qeveri e posa formuar në muajt shkurt dhe mars. Që nga 6 tetori kur i fituam zgjedhjet e deri tash në fillim të muajit prill, praktikisht është dyfishuar mbështetja për neve. Ne do të hyjmë në garën politike elektorale jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës. Mirëpo, nuk mund të flitet tash për koalicionet e ardhshme, kur nuk i kemi ende zgjedhjet e shpallura dhe pas asaj se çfarë na ndodhi me braktisjen e orientimit tonë qeveritar të përbashkët nga partneri ynë i koalicionit.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te pandemia, më 13 prill hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit hidhet poshtë vendimi i qeverisë për lëvizjen e kufizuar në Kosovë. Çka do të ndodhë më 13 prill, do të shpallni gjendje të jashtëzakonshme?
Albin Kurti: Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili është me përplot siklet brenda. Ky është një aktgjykim, i cili neve na konteston procedurën por jo edhe përmbajtjen. Prandaj, ata na e kanë dhënë njëkohësisht lejen që ne të vazhdojmë me masat tona deri me datën 13 prill. Me vendim të qeverisë ne e kemi formuar një grup punues nga katër ministra, nga Shëndetësia, Punët e Brendshme, Infrastruktura e Mjedisi dhe Administrimi i Pushtetit Lokal, pra zotërinjtë Vitia, Sveçla dhe Abdixhiku, sikurse dhe zonja Rexhepi, në mënyrë që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë dhe vendosin bashkë me kryetarët e komunave lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në secilën komunë, pasi që gjendja në ato dallon shumë prej njëra-tjetrës.
Pra, tash është Ministria e Shëndetësisë, por edhe këto tri ministritë tjera, të cilat do t’i vendosin masat për ditët dhe javët në vijim. Shpresoj jo më larg se muaji prill me qenë se në maj ka shenja se do të mund të dalim nga kjo kriza e pandemisë.