Gara politike që po bëjnë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, sa i përket asaj se kush duhet të jetë shef në dialogun me Serbinë nuk ka kaluar pa rënë edhe nën llupën e mediave serbe.
Televizioni publik serb një garë të tillë po e cilëson si ‘ping-pong’, mes krerëve të dy institucioneve më të rëndësishme të vendit.
“Kurti dhe Thaçi vazhdojnë ping-pongun, kush ka të drejtë të udhëheq dialogun”, thuhet në titullin e RTS, trasnmeton Express.
Një raportim i tillë në mediat serbe vjen pasi kryeministri Kurti në një letër që i ka dërguar emisarit të BE’së për dialogun, Mirsolav Lajcak, ka prezantuar ekipin për dialogun, që do t’i prijë vetë e në të cilin presidenti i vendit do të jetë vetëm anëtar bashkë me kryetaren e Kuvendit, raporton Gazeta Express.
Për një gjë të tillë ka reaguar sot zyra e presidentit Thaçi, duke e quajtur Kurtin si kryeministër në dorëheqje i cili për prezantimin e një ekipi të tillë nuk është konsultuar fare me presidentin e vendit. Sipas zyrës së Thaçit një veprim i tillë është edhe shkelje e hierarkisë kushtetuese.
“Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.
Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim.
Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese”, thuhej në reagimin e presidencës.