Kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, e ndërtuar që në shek. XIV. është destinacioni ideal për turistët që janë të apasionuar pas objekteve të kultit, historisë dhe vlerës së tyre.
Ky monument i rrallë kulture, i rikonstruktuar me një fond prej 3.9 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, është i hapur për të gjithë vizitorët të cilët duan të shijojnë një itinerar njohës mes afreskeve dhe bukurive që kjo kishë ofron.
Kisha e Ristozit pas rikonstruksionit i është shtuar listës së destinacioneve për t’u vizituar në Korçë. Kjo kishë një vlerë e trashëgimisë kulturore dhe një atraksion i shtuar për Korçën, është ndër më të vjetrat në Ballkan.
Kisha e Ristozit është një nga monumentet e rëndësishëm të periudhës së vitit 1389 dhe që i dedikohet Shën Mërisë. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse.
Faza e tretë e ndërhyrjes konsistoi në çlirimin nga shtresa e betonit të armuar mbi kupolë, pastrami i trotuareve për të shmangur depërtimin e ujërave të reshjeve në themelet e ndërtesës, si dhe ripërdorimi i tjegullave origjinale në këtë objekt të trashëgimisë.
Gjatë zbulimit të objektit në fazën e parë të restaurimit (nëntor 2014), u gjetën modelet e tjegullave origjinale të periudhës bizantine me të cilat ka qenë mbuluar fillimisht ky monument. Këto tjegulla kanë përmasa 55x33x3cm. Ripërdorimi i tjegullave të tilla, rivlerësoi imazhin e monumentit duke sjellë më të qartë arkitekturën dhe tipologjinë e tij.
Një element tepër i rëndësishëm që karakterizon përmbajtjen e objektit dhe në funksion të tij është kambanarja. Aktualisht ajo është e pozicionuar jashtë kishës, e vendosur në konstruksion druri te dëmtuar në vite dhe komplet i degraduar.
Nga foto të vjetra të kishës të gjetura në arkivin e IMK , vihet re se nuk ka patur një kambanore të pozicionuar brenda objektit apo mbi strukturën e çatisë së tij.