Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka propozuar kabinetin qeveritar.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, një herësh edhe mandatar për kryeministër, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të hënën ka propozuar edhe kabinetin e tij qeveritar.
Sipas marrëveshjes që është arritur në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, “Qeveria Kurti”, do t’i ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.
Gjashtë ministri do t’i takojnë Vetëvendosjes dhe gjashtë të tjera, LDK-së.
Mirëpo, tri ministri do t’i takojnë komuniteteve joshumicë në vend, shkruan lajmi.net.
Sipas Kurtit, ministre e Administrimit të Pushteti Lokal, do të jetë Emilia Rexhepi nga Grupi 6+, ndërkaq dy ministri, Albin Kurti i ka rezervuar për Listën Serbe.
Dalibor Jevtiq, do të jetë ministër për Komunitete dhe Kthim, kurse, Ivan Millojeviq, ministër për Zhvillim Rajonal.
Mirëpo, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, jo domosdoshmërish Listës Serbe i takojnë dy ministri.
Sipas nenit 96 të Kushtetutës së Kosovës, për përfaqësimin e komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, pika 3 thuhet se “Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”, shkruan më tutje lajmi.net.
Pra sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse Qeveria e Kosovës i ka më shumë se 12 ministri, atëherë ministria e tretë jo domosdoshmërish i takon komunitetit serb në vend, por komuniteteve joshumicë.
Mirëpo, Albin Kurti i cili deri para disa ditësh e kritikonte Listën Serbe e madje e quante edhe “parti çetnike”, sot i ka dhuruar një ministri më shumë dhe është pjesë e “Qeverisë Kurti”.
Theksojmë se në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca plenare për votimin e Qeverisë së re të Kosovës mirëpo, deputetët ende nuk e kanë votuar pasi që janë duke diskutuar.
Shumica e deputetëve të opozitës kanë drejtuar akuza dhe kritika në drejtim të Albin Kurtit për ndryshimin e qëndrimeve dhe deklaratave të tij për LDK-në e Listën Serbe.