Mal Berisha ish-ambasador, studiues ishte i ftuar në emisionin e sotëm ABC-ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demi.
Berisha ka shqipëruar librin e autorit Benjamin Dizraeli, “Naltësimi i Iskënderit”.
Gjatë bisedës në studio, foli për librin që ka shqipëruar, por edhe për vendimin e Edi Ramës, për të ngritur padi ndaj Ramush Haradinaj.
Sipas ish-ambasadorit, ky veprim ishte i tmerrshëm e absurd, aq më tepër kur ky veprim përkonte, edhe në ditën kur ishte kryer Masakra e Reçakut.
Berisha tregoi edhe një episod të shkurtër nga momenti kur Ramush Haradinaj ishte arrestuar dhe ishte dërguar në Hagë:
Biseda në studio:
Enkel Demi: Pardje Kryeministri Rama ka pa padiur Ramush Haradinaj. Çfarë mendoni?
Mal Berisha: Në fakt për mua është veprim tmerrësisht i gabuar, cfarëdo që të kishte bërë Haradinaj. Mund t’ju tregoj një episod.
Kur do të lëshohej opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kam patur fatin historik të jem i deleguari i Ministrisë së Jashtme në Gjykatën e Hagës, kam qenë në gjyqin atje si përfaqësues i Shqipërisë. Nga valët radiofonike të BBC, mësoj se Ramush Haradinaj ishte arrestuar. Mora në telefon Sali Berishën dhe i thashë:
Mal Berisha: E morët vesh?
Sali Berisha: Çfarë?.
Mal Berisha: Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe e kanë nisur për Hagë. Ndërkohë unë jam rrugës për hagë për vendimin ndaj Kosovës.
Sali Berisha: Mbaje telefonin hapur dhe do të marr prapë kur të jesh atje.
Mal Berisha: Kur vajta atje me dha porosi se nuk duhet të kthehesha pa takuar Ramush Haradinaj në burg. Me një procedurë të jashtëzakonshme arritëm ta takonim. Po na priste, shumë i qetë, me statujë prej burri që nuk thyhet aq kollaj, sepse ka parë aq shumë. Ishte hera e dytë që arrestohej. Në kohën kur po bisedonim, vëzhgova policët dhe e pyes Haradinaj.
Mal Berisha: Po këta serbët që vërtiten këtej i ke parë ndonjëherë? Ai po më tregonte se kë kishte parë, kur befas atë moment u shfaq Voisllav Sheshel, i cili ishte në burg, kaloi përpara nesh. Ktheu kokën dhe pa Ramushin aty dhe iu drejtua:
Voisllav Sheshel: Ramush si je? Të prunë prapë këtu?
Ramush Haradinaj: Po.
Voisllav Sheshel: Mos u mërzit, kësaj here për me ja bo Tadiç më të lehtë, atë që i bënë dje, të prunë ty këtu. Të prunë këtu, se ti je i mirë për të prurë këtu, me la hesapet që ka bo Serbia.
Enkel Demi: Këtë e ka thënë Shesheli?
Mal Berisha: Shesheli, në prezencën time dhe të ambasadorit tjetër ne Hagë në atë kohë.
Ramushi u ul, qeshi me të madhe dhe tha: “shife çfarë bën Serbia. Ne e morëm tani, Kosova është e pavarur. Unë do vuaj edhe një herë, nuk e di sa do shkoj kjo punë”.
Tani, ti vijë edhe një padi nga Tirana, është gjëja më absurde që ndodh në botë. Kush janë ata që e këshillojnë Kryeministrin shqiptar.
A nuk ka nga ata burra që ti thonë Ramës, se sikur edhe ta fusësh në burg, ty nuk të vlen kjo?! Shqipërisë nuk i vlen. Shqipërisë dhe Kosovës nuk i vlen në marrëdhënien e tyre.
Mendoj që duhet të ketë një burrë që ti thotë: “Shiko ndale dorën! Jo edhe në ditën e Recakut”.
Gjithë bota dje e ka kujtuar Recakun.
William Walker edhe dje ka qenë në Recak, duke qarë për viktimat atje. Kjo ngjarje e tmerrshme nuk duhet të përkonte me veprimin e Ramës.