Rreth 80 mijë qytetarë kanë marr kredi nga dy institucionet mikrofinanciare “Monego” dhe “Iute Credit”, të cilat u mbyllën më 6 dhjetor.
Këtyre instituconeve financiare jobankare iu revokua licenca për shkak të aplikimit të normave të interesit, deri në mbi 100 % më të larta sesa u ishte lejuar, duke rënë ndesh me rregulloret e BQK-së dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Banka Qendrore e Kosovës, ka bërë të ditur numrin e qytetarëve që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, ranë viktimë e “mëshirës” së “Monego-s” dhe “Iute Creditit”, të cilat u lejuan të operojnë kundërligjshëm prej dy vjetësh në Kosovë.
“Numri i tërësishëm i kredive aktive bazuar në Regjistrin e Kredive të Kosovës me gjendje të fundit është 79.9 mijë klientë.”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Gazetën Sinjali.
Prej kohës së themelimit, këto institucione kanë vjelur kundërligjsëm miliona euro nga xhepat e varfër të qytetarëve kosovarë që janë detyruar të bëjnë zgjidhje përmes kredive të shpejta në formë “fajdesh”, për shkak të situatave të papritura që u ka sjellë jeta, përfshirë edhe nevojat për trajtime shëndetësore.
Sipas të dhënave të BQK-së, shuma e përgjithshme e kredive që kanë dhënë, “Monego” dhe “Iute Credit”, gjatë dy vjetëve të operimit në Kosovë arrin vlerën prej 72 milionë e gjysmë euro.
“Shuma e kredive të lëshuara (aktive dhe jo aktive – të mbyllura) me gjendje të datë 31 tetor 2019 është 72.5 milionë euro.”, thuhet në përgjigjen zyrtare të BQK-së për Gazetën Sinjali.
Por, përkundër mbylljes së këtyre institucioneve në javën e parë të tetorit, shumë qytetarë kanë mbetur pa i kryer kreditë e marra nga “Monego” dhe “Iute Credit ”.
Për ironi, ata do të vazhdojnë t`i paguajnë këstet me kamatat e njëjta ndaj BQK-së sikurse i kishin paguar ndaj “Monego-s” dhe “Iute Credit-it ”, pavarësisht se normat e larta të interesit kanë qenë arsye kryesore pse Banka Qendrore ua vuri dryrin këtyre dy institucioneve mikrofinanciare.
Për rrjedhojë, BQK, e cila vetë e kishte konsideruar këtë veprim të kundërlishëm dhe jashtë çdo standardi të aplikueshëm për normat e interesit në Kosovë, po e vazhdon avazin e njëjtë të nisur nga “Monego” dhe “Iute Credit”, në kurriz të qytetarëve.
Për më tepër, BQK paralajmëron kredimarrësit dënime me shuma të njëjta siç kishin vepruar dy institucionet financiare, për vonesën e pagesës së kësteve.
“Kreditë e marra nga klientët tek çdo institucion financiar i licencuar, rregulluar dhe mbikëqyrur nga BQK-ja duhet të kthehen. Kjo, bazuar në kushtet e kredisë dhe afatet siç specifikohet me kontratën në mes të kredi marrësit dhe kredi dhënësit, ku çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit. E njëjta vlen edhe në rastet kur një institucioni i revokohet licenca (regjistrimi).
Për më shumë, likuidatorët e caktuar nga BQK-ja lidhur me institucionet që u janë revokuar regjistrimet së fundmi kanë vendosur informatat nëpër degët e institucioneve përkatëse se ku klientët mund t’i paguajnë këstet kreditore.”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali, gjatë ditëve të kaluara ka raportuar mbështetur në dokumente sesi “Monego” dhe “Iute Credit”, e pas mbylljes së tyre edhe BQK, po aplikojnë kamata marramendëse ndaj mijërave klientëve nevojtarë, të cilët janë “mbështetur për muri” për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale si dhe pamundësisë për tu përballuar me sfidat që u kishte sjellë jeta, përfshirë edhe nevojat për trajtime shëndetësore.