Policia e Lezhës ka sekuestruar sot 52 kilogramë lëndë narkotike kanabis, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona si dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Në kuadër të operacionit policor “Tranzit” në afërsi të një karburanti në fshatin Tresh të Lezhës, u gjet dhe u bllokua mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. K., ku në sediljen e pasme dhe në bagazh u gjetën 52 kilogramë drogë.
Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë ndalimin e shtetasit me inicialet I. R., 26 vjeç dhe E. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në mjetin paraprijës, si dhe shpalljen në kërkim të shtetasit A. K., 29 vjeç, banues në Shkodër dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ky shtetas, kur ka kontatuar që shërbimet e Policisë kanë bllokuar automjetin që i paraprinte, ka mbyllur automjetin në afërsi të një karburanti dhe është larguar me shpejtësi.
Policia, nën drejtim e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Tiranë e Shkodër po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shkruan Lapsi.al, transmeton Klan Kosova.