Sot u bë certifikimi i zgjedhjeve ku edhe zyrtarisht Lëvizja Vetëvendosje u shpall fituese e zgjedhjeve nacionale të tetorit. VV’ja përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se qeveria e ardhshme mes LDK’së dhe VV’së, tashmë e kanë shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës.
Andaj VV’ja kërkon që deri të hënën në mëngjes, të përfundojë marrëveshje e koalicionit qeverisës.
“Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës”, ka njoftuar Lëvizja Veetëvendosje.
Gjithashtu, Vetëvendosje tregoi se ka fituar 221 mijë e 1 vota, duke siguruar grupin më të madh parlamentar në Kuvend.
“U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë”, ka shkruar Vetëvendosje.
Vetëvendosje falënderoi votuesit për besimin e shprehur.
“Falënderojmë të gjithë votuesit për besimin te ne, shprehur në 6 tetor. Mirënjohje edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati kaq shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas”.