Besa Tafilaj Pinchotti po qëndron në Kosovë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sjellë me vete përvojën e saj në institucionet amerikane dhe lidhjen e fortë emocionale e historike të familjes së saj me Kosovën.
E njohur për angazhimin e saj në organizata amerikane që mbështesin familjet e ushtarakëve dhe veteranëve, Besa Tafilaj Pinchotti ka theksuar gjatë vizitës në Kosovë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shihen jo vetëm në nivel politik, por edhe në jetën e përditshme të familjeve amerikane që kanë shërbyer në misione paqeruajtëse në rajon.
Sipas saj, kujtimet dhe respekti për Kosovën vazhdojnë të jenë të pranishme në shumë familje amerikane që kanë pasur pjesëtarë të ushtrisë në Ballkan gjatë dhe pas luftës.
“Lidhja mes Kosovës dhe Amerikës nuk është vetëm politike. Ajo është njerëzore, emocionale dhe e ndërtuar mbi sakrificën, besimin dhe kujtesën e përbashkët,” është shprehur ajo gjatë takimeve në Kosovë.
National Military Family Association, ku ajo mban pozitën e drejtoreshës ekzekutive, është një nga organizatat më të rëndësishme në SHBA që përfaqëson familjet e ushtarakëve amerikanë. Para këtij angazhimi, Pinchotti ka punuar si gazetare dhe prezantuese në rrjete të njohura si ABC News dhe NBC News, ku ka raportuar edhe për Kosovën gjatë luftës dhe periudhës së pasluftës.
Ajo është vajza e filantropit shqiptaro-amerikan Ramiz Tafilaj dhe ka qenë e përfshirë në aktivitete të nivelit të lartë në Washington, përfshirë takime zyrtare në The White House me presidentin amerikan Joe Biden.
Vizita e saj në Kosovë po zhvillohet në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, pjesë e programit për shënimin e 250-vjetorit të United States, një iniciativë që synon të forcojë më tej partneritetin historik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovo.













