Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka vlerësuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.) për avancimin e transparencës institucionale dhe respektimin e së drejtës për qasje në dokumente publike.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 5-vjetorit të themelimit të AIP-së, përfaqësuesi i KEK-ut, Skënder Bucolli, u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij në forcimin e transparencës dhe qasjes në dokumente publike në Republikën e Kosovës.

Sipas KEK-ut, ky vlerësim përbën një njohje të përkushtimit institucional për zbatimin e standardeve të larta të transparencës, llogaridhënies dhe qasjes në informacion, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e qeverisjes së mirë.
Në njoftim thuhet se ky sukses pasqyron edhe angazhimin e vazhdueshëm të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, të cilët e kanë vendosur transparencën, komunikimin e hapur dhe llogaridhënien ndër prioritetet kryesore të qeverisjes korporative.
Po ashtu, KEK ka shprehur mirënjohje ndaj Agjencisë për Informim dhe Privatësi për bashkëpunimin profesional dhe për rolin e saj në promovimin e transparencës dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike.
Sipas KEK-ut, puna e zyrtarëve dhe punonjësve të korporatës ka qenë kyçe në ndërtimin e një institucioni më transparent, më të hapur dhe më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
KEK ka ritheksuar se do të mbetet e përkushtuar edhe në të ardhmen për të promovuar kulturën e transparencës institucionale, komunikimit të hapur dhe llogaridhënies ndaj publikut.













