Ish-zëvendësministri dhe aktivisti i LDK-së, Bajram Gecaj, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe nisjen e procesit për zgjedhjen e një lidershipi të ri në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Përmes një postimi publik, Gecaj ka vlerësuar se rezultatet e zgjedhjeve të fundit kanë dëshmuar se procesi i ndryshimeve në parti është dashur të fillonte që në Kuvendin e 31 janarit, por ka shtuar se “për procese të mira dhe të nevojshme asnjëherë nuk është vonë”.
Ai ka theksuar se ka qenë ndër mbështetësit më të fuqishëm të Lumir Abdixhikut, duke e përkrahur edhe në kohët kur, sipas tij, shumë anëtarë të partisë kishin rezerva ndaj lidershipit të tij.
“Sot ka ardhur momenti ta falënderojmë për mundin, përkushtimin dhe kontributin e tij, dhe në mënyrën më qytetare e më dinjitoze t’i kërkojmë të hapë rrugë për provën tonë të radhës, zgjedhjen e një lideri të ri”, ka shkruar Gecaj.
Duke folur edhe për përvojën e tij politike, ai ka treguar se pas dy garave për deputet ka vendosur të mos kandidojë më, pavarësisht mbështetjes nga dega e tij, duke theksuar nevojën për reflektim dhe vetëvlerësim.
Gecaj ka krahasuar pozitën e LDK-së me partitë e tjera politike, duke thënë se LDK nuk mund të pajtohet me rolin e një partie të tretë apo të katërt, pasi, sipas tij, është partia e parë demokratike në Evropën Lindore dhe duhet ta dëshmojë vazhdimisht këtë rol.
Në fund, ai ka bërë thirrje për një proces të dinjitetshëm tranzicioni, ku me respekt të përcillet lidershipi aktual dhe të zgjidhet një udhëheqje e re me vizion, energji dhe besim.
“Vetëm kështu mund ta rikthejmë LDK-në aty ku e ka vendin, në ballë të besimit qytetar dhe të udhëheqjes së shtetit”, ka përfunduar Gecaj.













