Një rast i dhunës në familje është raportuar pasditen e së shtunës në fshatin Osek Pash të komunës së Gjakovës, ku një përleshje fizike mes dy vëllezërve ka eskaluar në kërcënime edhe ndaj babait të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se më 12 korrik 2025, rreth orës 17:00, dy të dyshuarit – Z.Rr. rreth 18-vjeçar dhe vëllai i tij E. Rr., rreth 16-vjeçar – janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete, duke u goditur me grushte.
Sipas dëshmisë së dhënë në Polici, në përpjekje për ta ndalur konfliktin, ka ndërhyrë babai i tyre, por pas ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari i parë e ka kërcënuar të atin dhe të vëllain e tij të mitur.
Të dy vëllezërit janë dërguar për ekzaminim mjekësor, por nuk janë evidentuar lëndime të dukshme trupore. Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar për Krime të Përgjithshme, është marrë vendim që Z. Rr. të mbahet në ndalim për 48 orë, ndërsa për të miturin E. Rr. është vendosur që të lirohet në procedurë të rregullt, në koordinim me Prokurorin për të Mitur.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në Familje” dhe hetimet janë në vazhdim.














