Pas arrestimit të Qëndrim Ibrahimit, 27-vjeçar i dyshuar për vjedhje identiteti dhe mashtrim financiar, Policia është në kërkim të tre personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e të njëjtës skemë kriminale.
Burime të Sinjalit konfirmojnë se në bashkëkryerje me të arrestuarin, dyshohet se janë të përfshirë edhe: Sebahudin Ibrahimi, Shkëlzen Ibrahimi dhe Mërgim Gashi.
Këta persona dyshohet se kanë përdorur dokumente dhe të dhëna personale të kolegëve dhe shokëve të tyre, përfshirë Lorik Latifin dhe Florian Vishin, për të hapur një faqe të rreme në rrjete sociale me emrin “Dora e Besimtarit”, përmes së cilës simulonin projekte bamirësie si ndërtim bunarësh dhe ndihma sociale.
Në fakt, qëllimi i faqes ishte përfitimi financiar personal, duke mashtruar qytetarët që kontribuonin në emër të ndihmës dhe humanizmit.
Prokuroria ka caktuar masë ndalimi për 48 orë ndaj Qendrim Ibrahimit, ndërsa të dyshuarit tjerë janë në kërkim policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














