Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi të thellë për performancën e Bashkisë së Vlorës në kulmin e sezonit turistik, gjatë një takimi me përfaqësuesit e pushtetit vendor në këtë qytet, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve për News24, Rama i ka kërkuar kryetarit të bashkisë, Ermal Dredha, shkarkimin e të gjithë drejtorëve për shkak të punës joefikase.
Krahas kritikave në drejtim të administratës lokale, Rama ka bërë ndryshime edhe në strukturën drejtuese të Partisë Socialiste në Vlorë, duke komanduar Klevis Kason dhe Eriona Ismailin si drejtues të rinj të PS-së në qytetin bregdetar.
Kryeministri u shoqërua në këtë vizitë nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Kjo vizitë është pjesë e një turi takimesh që Rama ka nisur në të gjithë vendin pas 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Vetëm një ditë më parë, ai zhvilloi një mbledhje në Cerrik ku kritikoi kryebashkiakët e Qarkut Elbasan për mungesë angazhimi në zhvillimin e zonave rurale.














