Një deklarim pasurie i vitit 2021 ka hedhur dritë mbi pasurinë e konsiderueshme të Ali Ramës, Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të bëra publike nga deklarimi i tij në Agjencinë Kundër Korrupsion, Rama kishte 1 milion e 278 mijë e 41 euro të depozituara në banka – një shumë që ka ngritur pikëpyetje të shumta në opinion.
Nga kjo shumë, 720 mijë euro ishin të depozituara në bankat në Kosovë, ndërsa mbi 550 mijë euro në një bankë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç mjeteve monetare, Rama kishte deklaruar edhe dy banesa, një shtëpi dhe dy parcela toke. Ky deklarim u bë gjatë kohës kur ai ishte zyrtar publik dhe i detyruar ligjërisht të raportonte pasurinë.
Pas largimit nga KQZ-ja, si funksionar partiak nuk është më i obliguar ta deklarojë pasurinë, duke e lënë publikun pa informacione për pasurinë aktuale të një prej figurave kyçe të partisë në pushtet.
Ironikisht, Rama ka qenë ndër figurat që kanë promovuar bojkotimin e produkteve të caktuara nën arsyetimin e luftës kundër oligarkisë, një qëndrim që tashmë po shihet me sy tjetër nga opinioni publik.
“Kundër oligarkëve”, por me qindra mijëra euro në bankë – një kontrast që ngjall debat rreth moralit politik dhe transparencës në Vetëvendosje.