Irfan Lipovica, i arrestuar kohë më parë për dallaveret me rezervën shtetërore, është drejt emërimit si Drejtor i Akreditimit në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë.
Shoqëria civile po kërkon anulimin e këtij konkursi si rezultat i dallavereve.
Iniciativa CorrWatch ka thënë se njëri prej kandidatëve nuk i plotëson kriteret.
Njoftimi:
Iniciativa CorrWatch*, konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit (në kuadër të MINT) dhe, veçanërisht, faza e verifikimit paraprak, ka pasur shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe si pasojë, ky proces duhet të anulohet.
CorrWatch ka evidentuar se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, veçanërisht kërkesat ligjore për përvojën e punës, sidomos përvojën në pozita drejtuese, edhe pse në konkurs është përcaktuar se aplikacionet e mangëta refuzohen.
Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak janë përfshirë dy (2) kandidatë. CorrWatch vlerëson se vetëm njëri (1) prej tyre plotëson kushtet dhe kriteret ligjore të përgjithshme të përcaktuara me konkurs. Ndërsa, në listën përfundimtare të rezultateve, të dy kandidatët janë shpallur fitues për të kaluar në fazën e fundit të emërimit.
Pasi ka ngritur shqetësime tek MINT dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara, CorrWatch vërejti se, pavarësisht kësaj, institucioni ka vazhduar me procesin e rekrutimit, pa na ftuar për fazën e testit me shkrim dhe intervistës, duke legjitimuar kështu një proces jo ligjor.
CorrWatch konsideron se lista e ngushtë e publikuar nuk është valide dhe, si pasojë, as rezultatet përfundimtare nuk janë të vlefshme. Prandaj, CorrWatch kërkon që institucioni të anulojë këtë proces, sepse vazhdimi i tij pa u trajtuar kjo çështje përbën një shkelje serioze të ligjit.
CorrWatch bën thirrje për institucionin dhe të gjitha hallkat e tjera përgjegjëse që të reflektojnë mbi këtë proces dhe ta anulojnë atë.
Sinqerisht,
GLPS, Instituti GAP & INDEP