Nëse SHBA-ja do të ishte Roma Perandorake, Kosova do të anëtarësohej menjëherë në BE e në NATO, tha ambasadori amerikan. Ndërsa kryeministri Albin Kurti kërkoi së fundmi që “BE-ja të bëjë hapa konkretë” dhe të “marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën europiane të Kosovës”, Jeffrey Hovenier tha se amerikanët dhe gjermanët s’mund ta fusin vendin aty si me magji. Ai kërkoi që Qeveria t’ua japë atyre argumentet më të mira për të ndihmuar në këtë synim. Tha se dialogu me Serbinë duhet të merret seriozisht.
Kosova po kërkon që t’i jepet statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Krerët e shtetit përmendin vazhdimisht edhe synimin për t’u anëtarësuar në NATO.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në Bruksel më 19 shtator, ndërsa tha në një diskutim në Qendrën Europiane për Politika për rrugëtimin europian të vendit se “ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë” dhe të “marrë vendime të rëndësishme”.
“Ai gjithashtu u shpreh se vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe demokratike dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, andaj ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës. Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim”, u tha në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit atë ditë.
Pak ditë më herët, më 13 shtator, në një panel diskutimi në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024 Kurti tha se po punohet pareshtur për anëtarësim në NATO.
“Kryeministri nënvizoi se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal dhe se vijon të punojë pareshtur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si qëllime tona strategjike”, siç njoftoi ZKM-ja.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier të mërkurën kërkoi reflektim nga institucionet, në një fjalim të tij në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë.
Ai tha se nga bisedat që ka, befasohet nga një “sugjerim i padeklaruar” se “ekziston një rrugë tjetër përveç dialogut”.
“Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë do ta përdorin shkopin magjik dhe t’i bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s, anëtare e plotë e BE-së dhe gjithë të tjerat. Bota nuk funksionon kështu dhe unë duhet të jem i qartë për këtë”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan ironizoi duke thënë se Kosova do të ishte anëtare e BE-së dhe NATO-s nëse SHBA do të ishte “Roma Perandorake”. Por tha se duhet punë nga institucionet.
“Pra, nëse do të ishte vetëm në dorën e Shteteve të Bashkuara, nëse do të ishim Roma Perandorake dhe ta kishim fuqinë e saj dhe të gjitha vendet do të përkuleshin para nesh dhe do të bënin pikërisht atë që urdhërojmë ne – gjë që nuk është rasti në botë sot, nëse e shihni globin, ne ende besojmë se ushtrojmë ndikim të rëndësishëm rreth planetit, por nuk jemi vetëm – do ta shihnim Kosovën të integruar plotësisht tani në institucionet europiane dhe atlantike, Serbia do të ishte pajtuar me realitetin e një fqinji të saj sovran, të pavarur, multietnik, demokratik, paqësor”, tha Hovenier.
“Kjo është ajo që ne duam, por unë nuk shoh se si bëhesh anëtar i BE-së pa pajtimin e BE-së, dhe kjo do të thotë pajtim nga shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pajtimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Siç e dini të gjithë, disa nga ato shtete ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e Kosovës multietnike sovrane, të pavarur dhe demokratike që e kemi. Ju duhet t’i bindni ata. Ne duam të ndihmojmë”, tha Hovenier.
Më pas, ai përmendi një thënie të gjyshit të tij, që u cilësua mesazh i rëndësishëm për Qeverinë e Kosovës.
“Gjyshi im kishte thënë një fjalë një herë – dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar paksa – se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit”.
Hovenier tha se çdo qeveri në Kosovë duhet t’ua japë atyre argumentet më të mira, për të ndihmuar në anëtarësimin e saj në institucionet euroatlantike.
“Ne duam ta mbështesim Kosovën në integrimin e saj europian dhe euroatlantik. Ne kemi bërë shumë. Presidentë, sekretarë shteti, ambasadorë, të tjerë… Sepse ne i njohim aspiratat, aspiratat shumë legjitime të popullit të Kosovës për ta arritur atë. Ne duam të ndihmojmë. Kërkojmë nga çdo qeveri e Kosovës të na i japë argumentet më të mira të mundshme, municionin më të mirë të mundshëm në këto bisedime. Sa më shumë që mund të tregojmë – një demokraci sovrane, multietnike, të begatë e të suksesshme – aq më e lehtë është”, tha ambasadori.
Ndërsa përmendi se qeveria amerikane do të ndryshojë më 20 janar dhe BE-ja i ka kryer zgjedhjet me një lidership të ri që po vjen, Hovenier tha se “është një moment i qartë për të vlerësuar se ku jemi dhe për të menduar se ku duam të jemi dhe për t’i bërë disa ndryshime”.
Në këtë pikë, ai i përmendi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
“Do të ketë zgjedhje në Kosovë, siç e dimë të gjithë, në shkurt, të cilat mund të ofrojnë një mundësi, por mendoj se kjo është më urgjente”, tha ndër tjerash ambasadori amerikan.
Ai tha se presin që si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, “të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet që kanë hyrë në dialog”. “Presim që ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier.
“Ky është proces, duhet të punohet për të arritur përfitime reciproke… Nuk do të ishte fitore për Kosovën nëse preket sovraniteti, demokracia dhe integriteti i saj, por nuk do të ishte fitore për të as nëse minoritetet nuk respektohen”, tha Hovenier.
Kosova më 15 dhjetor 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së e kishte pranuar aplikimin, por më askush nuk e ka shqyrtuar atë.
BE-ja e thekson vazhdimisht rëndësinë e rezultateve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për përparimin e të dyja vendeve në rrugën e tyre europiane.