Kryeministri Albin Kurti ka shpërndarë një klip rreth 1 minutësh të përgatitur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit duke shkruar “Gëzuar 16 – vjetorin e Pavarësisë, Kosova jonë”.
Por, në këtë video nuk ka asnjë pjesë të momentit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte lexuar nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi. Me siguri se kjo është edhe arsyeja që në videon e qeverisë nuk ka gjetur vend ndonjë pjesë e kësaj ngjarje historike. Videoja nis me komandantin legjendar Adem Jashari dhe vazhdon me disa nga momentet tjera që çuan në pavarësimin e Kosovës.
Aty shfaqet dhuna serbe dhe episoda tjerë të zhvillimeve të atëhershme, ndërsa protestës së studentëve ku Kurti ka qenë protagonist i jepet më shumë hapësirë. Pastaj shfaqet lufta e UÇK’së, bombardimi i NATO’s dhe pamjet nga shtëpia muze për ish-presidentin Ibrahim Rugova, por jo edhe imazhet e Ibrahim Rugovës.
Në video shfaqën edhe disa nga sukseset e Kosovës pas pavarësisë në muzikë e sport, ndërsa përfundon me liberalizimin e vizave.