Të hënën e javës që shkoi, para objektit të Kuvendit të Kosovës, shumë veteranë të UÇK-së shkuan për ta shprehur mllefin në lidhje me mospërfshirjen e tyre në projektligjin për pagën minimale. Disa prej tyre këtë kundërshti e manifestuan edhe duke tejkaluar rrethojat para objektit me synimin që të futen brenda dhe ta ndalin kalimin e projektligjit. Për të parandaluar hyrjen e tyre në Kuvend u desh intervenimi i Policisë së Kosovës, e cila tha se protesta s’u lajmërua. Aty pati edhe hedhje të gazit lotsjellës, për të cilin Policia deklaroi se u hodh nga ndonjë prej protestuesve. Një skenë e tillë mund të përsëritet prapë, por kësaj radhe me paralajmërim.
Në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, për të cilën njoftoi sot Kryesia, do të jetë pikë e rendit të ditës miratimi i këtij projektligji. Veteranët edhe sot shprehën pakënaqësinë e tyre, por këtë s’mund ta manifestojnë me protestë nesër meqë koha është e shkurtë për organizim të saj. Megjithatë, dorë prapë nuk heqin.
Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetari të OVL UÇK-së, ka thënë se veteranët duhet të jenë në kontakt me degët e organizatës që kur t’iu bëhet thirrja të dalin në masë të madhe derisa t’i urealizohet kërkesa.
“Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale. Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, ka shkruar Klinaku.
Derisa iu bëri thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës që të refuzojnë miratimin e këtij “ligji diskriminues ndaj kategorive të luftës”, shkuarjen e kryeparlamentarit në Hagë te ish-krerët e UÇK-së po e sheh si ironike.
“Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës! Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Klinaku.
Kërkesën e tyre po e mbështesin edhe partitë opozitare. Ato i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që të mos anashkalohen veteranët nga ligji i pagës minimale. Mospërfshirjen e tyre, PDK e cilësoi si një dëm që i bëhet themeleve të lirisë së vendit, derisa AAK-ja tha se është diskriminuese dhe në esencë e dëmton njërën ndër kategoritë më të rëndësishme të shoqërisë.
Sipas Ligjit për Veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë, e që është prej 130 deri 170 euro, varësisht moshës. Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht kategorisë.
“Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”, thuhet në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Protesta e së hënës së kaluar e shoqëruar me tensione ishte mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo filloi rreth orës 10:00 dhe nisi të shpërndahej nga ora 13:00 pasi dështoi për mungesë kuorumi votimi i paraparë për projektligjin për pagën minimale. Për të shpërndarë ata u përfshi edhe Njësia Speciale. Sipas Policisë, dy zyrtarë policorë janë lënduar në protesta dhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës në ato ambiente.