Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një konference nga Zyra Ovale ka thënë se Administrata e tij në pak muaj arriti të bëjë paqe mes disa popujve, duke përmendur në këtë mes edhe Kosovën e Serbinë.
Trump tha se Serbia ishte gati të futej në luftë “me një grup” dhe shtoi se një mik i tij i ka thënë se do të futeshin përsëri në luftë me Kosovën, por se kjo s’ndodhi për shkak se “ne e ndaluam”.
“Ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Brenda vetëm disa muajve, kemi arritur paqe mes Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, si dhe disa të tjerëve gjithashtu. Serbia, e dini, ishte gati të futej në luftë me një grup. Nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi – arritëm ta ndalojmë. Por kam një mik në Serbi, dhe ai më tha: “Do të futemi përsëri në luftë”. Dhe nuk dua të përmend që është Kosova, por është Kosova. Ata do të nisnin një luftë të madhe, por ne e ndaluam. E ndaluam për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. Unë u thashë: ne nuk bëjmë tregti me njerëz që hyjnë në luftë”, ka thënë Trump