Kompania publike “Termokos” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, e cila ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes industrisë dhe institucioneve akademike.
Në një takim të zhvilluar në ambientet e Termokosit, kryeshefi ekzekutiv Fisnik Osmani mirëpriti me respekt të veçantë rektoren e këtij universiteti, Prof.dr. Nurten Deva.
Përmes kësaj marrëveshjeje, dyert e Termokosit do të hapen për studentët që do të kenë mundësinë të zhvillojnë praktikën profesionale në këtë ndërmarrje publike, duke aplikuar njohuritë e fituara teorike në fushën praktike.
“Termokos përveç përmbushjes me sukses të misionit për të ofruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore, është shndërruar në një adresë të rëndësishme për përgatitjen profesionale të kuadrove të reja”, thuhet në njoftimin e Termokosit.
Kjo iniciativë vjen si pjesë e përkushtimit të ndërmarrjes për të kontribuar në zhvillimin e Prishtinës së gjelbër dhe fuqizimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës.