Një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në fshatin Qyshk të komunës së Pejës, ku një person ka shtënë me armë zjarri pranë një mobilierie dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me ngjarjen, Sinjali ka mësuar se rreth orës 10:17, në ambientet e kompanisë “Mobile Dekor”, ka ndodhur një përplasje ndërmjet dy personave – viktimave B.Z., rreth 26-vjeçar dhe B.Z., rreth 66-vjeçar– dhe njërit nga të dyshuarit, Sh.G., i cili kishte ardhur me motoçikletë dhe kishte tentuar të parkojë para hyrjes së objektit.
Sipas deklarimeve të viktimave, pas një vërejtjeje për parkim, i dyshuari Sh.G. është larguar në drejtim të shtëpisë së tij, prej nga është kthyer me një armë automatike të llojit AK-47, me të cilën ka shtënë disa herë në ajër para objektit të kompanisë.
Të gjitha njësitë e Stacionit Policor në Pejë janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Gjatë ekzaminimit të kryer nga hetuesit dhe njësia e forenzikës, janë gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja kalibër 7.62×39 mm, të cilat përputhen me armën e përshkruar nga dëshmitarët.
I dyshuari kryesor, Sh.G., është larguar menjëherë pas të shtënave në drejtim të fshatit Zahaq dhe aktualisht është në kërkim policor. Policia ka realizuar bastisje në shtëpinë e tij dhe të vëllait të tij, Q.G., rreth 30-vjeçar, mirëpo nuk është gjetur arma e dyshuar.
Q.G., si person i përfshirë në incident, është arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndaj Sh.G. është ngritur dyshim për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit kryesor.














