Dy familje në një fshat të Istogut po vazhdojnë të qëndrojnë të izoluara, për shkak të dyshimit se kanë pasur kontakt me një prej personave të prekur me virusin Covid-19. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me koronavirus, raporton Express
Gjendja në Istog është pothuajse e njëjtë me qytetet e tjera të Kosovës. Pak lëvizje të qytetarëve, e shumë kujdes për t’u mbojtur nga koronavirusi.
Istogasit po dalin në qytet vetëm për të blerë ushqim e barna, ndërkohë po qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, si masë kryesore e mbrojtjes nga virusi.
Për gjendjen në Istog kanë folur kryetari i komunës, Haki Rugova dhe drejtori i Shëndetësisë, Mujë Osmanaj.
Ata për Express kanë treguar se kanë kërkuar mjete shpenzuese nga Ministria e Shëndetësisë.
“Janë në vëzhgim edhe disa raste tjera, sot e kemi pasur takimin e Shtabit Emergjent, ku kanqë qenë prezent edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Janë disa vatra potenciale, por deri më tani në Istog nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Po merren masat e nevojshme, pak është shqetësuese sepse disa nga qytetarët që duhet të qëndrojnë të izoluar, nuk janë të diciplinuar”, ka thënë kryetari i Istogut, Haki Rugova.
Rugova ka shtuar se e rëndësishme në këtë kohë është që qytetarët të izolohen nëpër shtëpitë e tyre, pasi kjo është masa mbrojtëse më e mirë.
Ai ka theksuar se i kanë dërguar një listë me kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë, për materialet e nevojshme nëpër QKMF-të e Istogut.
“Mjetet preventive deri tash i kemi pasur, por kemi kërku përkrahje nga qeveria, sot e kemi dërguar një listë e kërkesave në Ministria e SHëndetësisë, presim përgjigje nga ta. Materiale, paisje mbrojtëse, dezinfektues, maska, kryesisht material shpenzues”, ka thënë Rugova.
Rugova ka bërë të ditur se po respektohet vendimi i qeverisë, për mbylljen e bizneseve.
“Njerëzit po lëvizin, mirëpo bizneset nuk po punojnë, po e respektojnë vendimin e qeverisë. Po punojnë vetëm marketet dhe barnatoret. Kështu është krijuar pamundësia e grumbullimit të njerëzve. Kam marrë vendim e kam reduktuar stafin mjekësor, vetëm personat që duhet patjetër do të punojnë, edhe ata me orare”, kan deklaruar Rugova për Express.
Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, i ka thënë gazetës se ka persona që kanë ardhur nga Italia në Istog, por po qëndrojnë të izoluar.
“Janë disa individë që kanë ardhur nga Italia para 3-4 ditësh, por menjëherë kemi intervenuar me polici dhe i kemi marrë masat e nevojshme që ata persona të izolohen”, ka theksuar Osmanaj.
Osmanaj ka thënë se dy personat që dyshohet se kanë pasur kontakt me një prej të prekurve me virus, po vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar, bashkë me familjet e tyre.
“Ata dy persona dhe familjet e tyre janë të izoluar dhe në vëzhgim. Deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka pasur simptoma të virusit Covid-19”, ka thënë Osmanaj për Express.
Ndryshe, Kosova të premtën edhe zyrtarisht ka hyrë në mesin e shteteve të prekura nga virusi i rrezikshëm, COVID-19, apo i njohur si koronavirus. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me koronavirus.














