Ish-kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës, Rasim Smajlaj, ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke shprehur shqetësim për, siç e quan ai, një situatë të rrezikshme politike dhe mungesë transparence nga ana e pushtetit aktual.
Sipas Smajlajt, vendi po hyn në një periudhë të ndjeshme politike, ndërsa afati për zgjedhjen e Presidentit po afrohet pa një emër konkret dhe pa një proces të hapur e konsensual.
Ai thekson se kjo situatë nuk është më vetëm çështje emrash, por një çështje strategjie politike që mund të ketë pasoja afatgjata për demokracinë në vend.
Ai përmend tre skenarë të mundshëm që, sipas tij, mund të zhvillohen në këtë proces.
Në skenarin e parë, Smajlaj paralajmëron mundësinë e zgjedhjes së një Presidenti partiak, i cili do të ishte lojal ndaj Qeverisë dhe nuk do të sfidonte vendimet e saj.
Sipas tij, kjo do të krijonte një koncentrim të pushtetit duke vendosur nën ndikim të njëjtë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën, gjë që do të dobësonte mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe balancës.
Skenari i dytë, sipas tij, lidhet me mundësinë e dështimit për zgjedhjen e Presidentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
Ai shpreh dyshimin se një krizë e tillë institucionale mund të përdoret për përfitime politike, përfshirë mobilizimin e elektoratit dhe konsolidimin e pushtetit.
Ndërsa në skenarin e tretë, Smajlaj vlerëson se mungesa e transparencës mund të jetë një formë presioni ndaj opozitës për të hyrë në marrëveshje politike, duke prodhuar një President si rezultat i kompromisit të imponuar, e jo i një procesi të bazuar në unitet kombëtar.
Ai gjithashtu thekson se në një kohë kur Kosova përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë dialogun me Serbinë dhe presionin ndërkombëtar, vendi nuk ka nevojë për kriza të reja politike.
Në fund të reagimit të tij, Smajlaj thekson se Kosova ka nevojë për një President që përfaqëson shtetin dhe unitetin, e jo interesat e ngushta politike.
“Pyetja kryesore mbetet nëse po ndërtohet një krizë për të kontrolluar shtetin, apo një proces për ta forcuar atë. Kosova nuk ka nevojë për një President të pushtetit, por për një President të shtetit”, thuhet në reagimin e tij












