Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se rreth orës 16:05 dy persona të dyshimtë me automjetin e tipit Renault Clio, ngjyrë e kuqe kanë ardhur për të hyrë në territorin e Kosovës.
Pas dyshimeve të ngritura, zyrtari policor ka kërkuar selektimin për kontroll të hollësishëm në vijën e dytë nga njësiti anti-kontrabandë i Doganës së Kosovës dhe Policia.
“Gjatë kontrollit të përbashkët nga oficerët doganorë dhe policorë në pjesët anësore te ulëset e pasme të automjetet është hasur një sasi e dyshuar e substancës narkotike e mbështjellur me qese najloni (sipas matjeve fillestare rreth 7 kilogramë. Njësiti i antidrogës në Policinë e Kosovës në Prizren është informuar për t’u marrë me procedurat e mëtejme lidhur me rastin, përfshirë matjet e sakta-peshën dhe detajet e tjera”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.
Gjithashtu u theksua se me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe të gjitha veprimet e mëtutjeshme ligjore do të ndërmerren në bashkërendim me autoritetet kompetente.