Probabiliteti që koronavirusi të hyjë drejtpërdrejt në mushkëri është jashtëzakonisht i vogël, prandaj pneumonia kryesisht buron nga organet e sipërme të frymëmarrjes, sipas hulumtimit të fundit të botuar nga shkencëtarët hungarezë, shkruan Scientific Reports.
Sipas rezultateve të shkencëtarëve, mundësia për depërtim të patogjenit në mushkëri është e vogël, madje edhe nëse thithen aerosolet e kollës së një personi të infektuar me koronavirus.
Procesi i cili çon në pneumoni fillon me infeksionin e traktit të sipërm respirator, ku virusi shumohet dhe depërton poshtë në organet respiratore, theksojnë shkencëtarët.
Ata kanë propozuar aplikimin e agjentit i cili zvogëlon përqendrimin e virusit në mukozën e membranës së gojës dhe hundës kur pacienti i ndien simptomat e para të sëmundjes, siç janë kolla apo mungesa e aromave apo shijeve, në mënyrë që të shmanget një fazë më e vështirë, thuhet në deklaratën e Rrjetit të Kërkimeve Eötvös Loránd.