Nga 1,795,666 qytetarë, aq sa kanë qenë të regjistruar në vlerësimin e fundit të popullsisë, në Kosovë kanë arritur të vaksinohen me vaksinat anti-Covid 41,687 persona ose, shprehur në përqindje, 2.3% e tyre.
Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një njoftimi gjatë ditës së diel, ka bërë me dije se numri i përgjithshëm i të vaksinuarve kundër COVID-19 në Kosovë ka arritur në 41,867, shkruan Gazeta Express.
“Ekipet e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në njësitë tjera të vaksinimit në Kosovë kanë vaksinuar sot 2519 qytetarë. Me dhënien e vaksinave sot, numri i përgjithshëm i të vaksinuarve kundër COVID-19 në Kosovë ka arritur në 41 867”, u tha në njoftimin e MSH’së.
Megjithatë, përqindja aktuale e vaksinimit të qytetarëve nuk duket se po ia afron premtimit të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, të bërë gjatë fushatës elektorale. Kurti, përgjatë shpalosjes së programit qeverisës, në programin politik shëndetësor, pati thënë se në rast se VV vjen në pushtet, do t’i vaksinojë 60 për qind të qytetarëve brenda vitit.
Pavarësisht se shteti ka në dispozicion vetëm rreth 38 mijë vaksina, Ministria e Shëndetësisë i ka ftuar që të vaksinohen grupmoshat 65 deri në 79 vjeç. Në regjistrin e shtetit, statistikat thonë se Kosova ka mbi 130 mijë qytetarë të kësaj kategorie.
Përveç të moshuarve, me këto doza të vaksinave, siç thotë edhe Plani Shtetëror i Vaksinimit kundër Covid-19, është paraparë edhe vaksinimi i personelit shëndetësor që ka mbetur pa vaksinuar, personat me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira drejtpërdrejt në menaxhimin e virusit.
Ndryshe nga përqindja e ulët e të vaksinuarve në Kosovë, Shqipëria fqinje qëndron shumë më mirë në këtë aspekt. Shqipëria, deri më tani nga 2.8 milionë banorë ka arritur t’i vaksinojë mbi 600 mijë nga ta.
Programi i UNICEF-it në Kosovë ka bërë të ditur se Kosova deri në fund të muajit maj do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës antiCOVID nga programi COVAX.