Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se pse nuk është përfshirë Projektligji për Automjete, në Programin Legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025, me të cilin parashihet heqja e homologimit, raporton Express.
Mospërfshirjen e këtij projektligji në plan, Murati e ka arsyetuar duke thënë se është nismë ligjore e Kuvendit dhe se tashmë është në proces.
“Eshte nisme ligjore e Kuvendit, tashme ne process”, ka sqaruar Murati.
Ndryshe, çështja për ndryshimin e Ligjit për Automjete u iniciua nga një peticion, ku u mblodhën 10 mijë nënshkrime.
Secili qytetar që importon automjet nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Për vite me radhë, homologimin në Kosovë e kryen vetëm kompania “Euro-Lab”, që është në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.
Gazeta Express vazhdimisht ka raportuar për homologimin dhe monopolet e tjera që shteti u ka dhënë biznesmenëve të familjes Devolli nga Peja.