Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë me njoftim për vrasjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ku një burrë vrau me mjet të mprehtë vajzën e tij të mitur.
Të lënduara mbeten edhe bashkëshortja e të dyshuarit Mehmet Gorenc dhe vajza tjetër e tij, e moshës 10-vjeçare, trasnmeton Klankosova.tv.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë.” – njoftoi Prokuroria.
Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krimteknikën dhe zyrtarët e IML-së, të pëfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.