Paraditen e së shtunës, Kuvendi i Kosovës u kërcënua përmes një mesazhi se në objektin e tij ndodhet një mjet shpërthyes.
Për Klankosova.tv, detaje shtesë ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, tha Kelani për Klankosova.tv.
Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt.
11:50 – Alarmi për bombë pamundëson seancën e 42-të, Zogaj: Besoj që do e vazhdojmë pas disa orëve
Deputeti i betuar i LDK-së, Alban Zogaj është prononcuar para medieve pas alarmit për bombë në Kuvendin e Kosovës.
Si shkak i këtij kërcënimi, seanca e 42-të konstituive nuk u mbajt, derisa Zogaj shton se beson që pas disa orëve do vazhdojë kjo seancë, pas procedurave të kryera nga institucionet e sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
“Krejt çka na është thënë dhe urdhëruar është që ta lirojmë objektin e Kuvendit, por besoj dhe shpresoj që do të ketë procedura të kërkimit tash, dhe pastaj na fton kryesuesi në seancë, ne po presim,jemi këtu. Pas disa orëve besoj se prapë vazhdojmë me seancën”, tha Zogaj.
11:45 – Kuvendi e konfirmon alarmin për bombë brenda objektit
Alarmi për mjetin e dyshimtë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës ka detyruar Policinë t’i largojë nga salla deputetët dhe të gjithë punonjësit e tjerë, si dhe ekipet mediale.
Nga Kuvendi tashmë kanë dhënë një përgjigje për Klankosova.tv, duke e konfirmuar rastin, por pa u lëshuar në detaje.
“Policia e Kosovës ka njoftuar për një kërcënim me bombë brenda objektit të Kuvendit dhe ka kërkuar prej të gjithëve, deputetëve dhe personelit, që të largohen nga objekti. Për më shumë ju njofton Policia.” Forcat speciale të Policisë së Kosovës ndodhen në afërsi të Kuvendit dhe objektit të Qeverisë, ku po ofrojnë siguri.














