Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, ka njoftuar se ka dal pozitiv me koronavirus.
Ai tha se ka qëndruar disa ditë i izoluar në shtëpi, ndërsa sot ka marrë konfirmimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Pas dyshimeve dhe qëndrimit disa ditorë në vetizolim jam testuar për COVID-19. Nga IKSHKP, sot më është konfirmuar se kam rezultuar pozitiv. Me shëndet jam shumë mirë dhe nuk kam asnjë lloj shqetësimi shëndetësor “.
Rudari theksoi se punët do t’i mbikqyrë nga shtëpia.
“Ditët në vijim, sipas rekomandimeve do t’i kaloj në izolim dhe gjithë procesin e punës, ashtu si këto ditë, së bashku me bashkëpunëtorë do ta mbikqyrë dhe do ta organizoj nga shtëpia. Ju ftoj të gjithëve që tu përmbaheni rregullave të IKSHPK-së, virusi është real dhe serioz, mos ta lejojmë që të bëhet shkatërrues i jetës tonë dhe familjareve tona. Shëndet!”.