Një komandant i një nënstacioni të Policisë së Kosovës është suspenduar në Pejë. Këtë e konfirmoi për Gazetën Express, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.
Sipas IPK, ky suspendim ka ardhur pasi ndaj zyrtarit policor ka filluar një hetim paraprak për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Suspendimi i tij nga puna vlen deri në një vendim tjetër.
“Inspektorati Policor i Kosovës në këtë fazë të hetimeve ju konfirmon se ka filluar hetim paraprak ndaj të dyshuarit (me gradën toger policor në Nënstacionin Policor në Gorazhdec pranë Drejtorisë Rajonale Pejë) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” . Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të dyshuarit deri në një vendim tjetër”, tha Hodaj.
Gazeta Express mëson nga burimet e veta brenda Policisë së Kosovës se dyshohet se i ka organizuar disa peticione, për t’i realizuar disa kërkesa të banorëve…të njëjtat i ka përdorur gjoja si kërkesa të banorëve për t’i larguar disa zyrtarë nga pozitat e caktuara. Këta ishin zyrtarë të stacionit, kur ka dashur të bëjë lëvizje të caktuara, i është referuar gjoja kërkesave të banorëve.