Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Banjë të Pejës, ku gjatë një seance civile, një person i përfshirë në procedurë gjyqësore ka kërcënuar me armë të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe gjyqtaren e rastit.
Burime të sigurta të Telegramisot bëjnë të ditur se i dyshuari është Abedin Muzliaj, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ai dyshohet se ka kanosur me armë automatike të llojit kallashnikov të gjitha palët e pranishme në seancë, si dhe gjyqtaren që po e udhëhiqte procesin gjyqësor.
Sipas të njëjtave burime, konflikti dyshohet të ketë nisur për shkak të një ndërtimi që po bëhet afër pronës së Muzliajt, ku një biznesmen po ndërton një objekt banesor, çka ka përshkallëzuar tensionet mes palëve.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar rastin për Telegramisot, duke bërë të ditur se i dyshuari është në arrati.
“Në Banjë të Pejës gjatë një seance civile, kanë qenë të pranishëm të gjitha palët si dhe gjyqtarja. Njëra palë ka dalë me kallash dhe i ka kanosur të gjithë, përfshirë edhe gjyqtaren. I njëjti është arratisur nga vendi i ngjarjes. I është bastisur shtëpia me autorizim të prokurorit dhe për momentin është në kërkim nga Policia e Kosovës për t’u arrestuar”, tha Nikçi.
Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë dhe janë në ndjekje të të dyshuarit.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.