Për herë të parë, Kosova gjendet në krye të një liste me gjithë shtetet e botës. Për numrin e vdekjeve nga COVID-19 në 1 milion banorë, vendi më i varfër në rajon, ka lënë prapa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, pavarësisht këtyre të dhënave, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se vendi është në rrugë të mbarë në përballje me pandeminë.
Themeluesi dhe drejtori i Institutit për Hulumtime “Scripps”, Eric Topol, i cili është edhe profesor i mjekësisë molekulare, në llogarinë e tij zyrtare në Twitter ka publikuar një tabelë, në të cilën janë paraqitur të dhënat për rastet e vdekjeve nga COVID-19 nëpër botë.
E ndonëse vendi ia kalon me numër të vdekjeve për 1 milion banorë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, po thotë se vendi është në rrugë të mbarë në luftën me COVID-19.
“Të themi lirisht që jemi në rrugë të mbarë qe disa ditë. Javën e kaluar kemi qenë në mënyrë shumë të stabilizuar në situtatën epidemiologjike dhe po vazhdojmë me këtë stabilitet”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, qytetarët po i zbatojnë rekomandimet e IKSHP’së dhe MSH’së, dhe se kjo po vërehet edhe te numri i rasteve të reja që po regjistrohen.
“Dhe duke mos pasur vend për vetëkënaqësi ne do të vazhdojmë me zbatimin e masave, të cilat praktikisht reflektojnë dhe në këtë komunikatë të sotme, sepse qytetarët kanë filluar që të zbatojnë masat dhe kjo vërehet dukshëm dhe efekti dhe impakti kryesor vërehet në rënien e lehtë, të moderuar dhe mund të them të ngadalshme, por të sigurt të lakores epidemiologjike”, ka deklaruar ai para gazetarëve.
I pari i IKSHP’së është shprehur i bindur se nëse qytetarët do të vazhdojnë me zbatimin e masave, lakorja do të bie në zero shumë shpejt.
“Duke marrë parasysh që rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë kanë filluar të zbatohen dhe po vërehen dukshëm, pra në mbajtjen e distancës, mbajtjen e obligueshme të maskave dhe higjienës personale, ne kemi shpresë së shumë shpejt, këtë lakore do ta ulim në minimum dhe do ta bëjmë zero në një të ardhme të afërt”, ka thënë Ramadani.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se masat kufizuese duhet të respektohen detyrimisht.
“Situata epidemiologjike në Kosovë është e rëndë. Numri i rasteve të infektuara mbetet i lartë, rastet e vdekjeve janë të shumta dhe të dhembshme.
Masat kufizuese DUHET të respektohen DETYRIMISHT. Inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orë pa pushim. Mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës janë të sfilitur, por në ballë të detyrës dhe në rrezik permanent për jetën e tyre”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, janë konfirmuar 193 raste të reja me koronavirus dhe tetë raste të vdekjes.
Deri tash, me këtë virus janë prekur gati 11 mijë qytetarë dhe janë regjistruar 373 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese
“Numri total i rasteve pozitive është 10.988 raste nga 42.627 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 373 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 205 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.616 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.999”, thuhet në raportin e fundit të IKSHP’së