Komandanti i Forcave Tokësore Austriake, Martin Dorfer, deklaroi se kërcënimi i një sulmi ndaj Austrisë është real dhe se ushtria duhet të jetë shumë më e përgatitur për një skenar të tillë.
Në një intervistë me Salzburger Nachrichten, Dorfer tha se Austria nuk është në vijën e parë të frontit, por se duhet të jetë e kujdesshme për shkak të vendndodhjes së saj.
“Në situatën aktuale, Austria nuk është një vend në vijën e parë të frontit. Megjithatë, ne jemi në zemër të Evropës dhe disa nga rrugët më të rëndësishme të tranzitit kalojnë nëpër territorin tonë. Ekzistojnë rrjete evropiane të gazit dhe energjisë elektrike. Duhet të përgatitemi për një sulm në territorin tonë”, tha gjenerali.
Në vend të një ushtrie klasike, një shtet armik, sipas Dorfer, mund të dislokojë forca speciale, terroristë apo edhe kriminelë.
“Ky është sigurisht një skenar realist,” tha ai.
Gjenerali austriak deklaroi gjithashtu se ushtrisë austriake i mungojnë shumë gjëra, përfshirë mbrojtje më të mirë ajrore, e cila është lënë pas dore për arsye të kostove.
“Plani i rindërtimit për vitin 2023 synon ta ndryshojë këtë dhe ta bëjë ushtrinë përsëri operacionale. Tashmë ka ndryshuar plotësisht stërvitja e rekrutëve”, përfundoi ai.