Numri i personave që kërkojnë ndihmë psikologjike është rritur dukshëm, thonë ekspertët e kësaj fushe, duke shtuar se qytetarët kanë filluar ta marrin më seriozisht shëndetin mendor.
Neuropsikiatri Sami Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se qendra e shëndetit mendor pranon raste nga më të ndryshmet, ku aktualisht në qendër numërojnë mbi 1800 klientë të interesuar.
“Qendra për shëndet mendor është pikërisht për rehabilitim dhe risocializim, po flasim për depresion madhor. Fillim pacientët tonë ku numërojmë mbi 1800 klientë me kartela sepse kjo qendër është në shërbim të regjionit të Prishtinës, dhe personat të cilët kanë pasur problem me shëndet mendor, janë mbrojtur në fillim por kjo zgjati edhe më shumë. Jemi munduar që edhe përmes telefonatave, këshillave të shkurta mirëpo qendra si qendër nuk është mbyllur asnjëherë. Ka filluar të ndihet pastaj edhe mungesa e ilaçeve, dhe këtu cekim që është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë për herë të parë. Këtu cekim edhe simptomat e tyre siç janë dhuna në familje, çrregullimi i gjumit, është rritur numri i konflikteve jashtë dhe të tjera”, tha ai.
Rexhepi thekson që nuk ka shumë hapësirë sa i përket fushës së shëndeti mendor duke e cilësuar si një proces shumë të rëndësishëm edhe pas tejkalimit me pandeminë, duke përmendur këtu edhe dështimin e shtetit në disa aspekte.
“Prapë mendoj që nuk ka shumë hapësirë kjo fushë e shëndetit mendor, dhe se sa është e rëndësishme për momentin. Është bërë më tepër se një vit që jemi duke funksionuar në një saç të madh me plot prush mbi kokë që është një presion jashtëzakonisht i madh dhe ka pasur periudha ku ka filluar gjendja me u stabilizua, por që duhet me ceke që ka pasur ristresime të qytetarëve në këtë periudhë, ka qenë frika mos me u infektua, nëse infektohemi frika mos e vdekjes dhe kështu “.
“Duhet të jemi realistë që kemi dështua në organizim, kemi dështua në furnizim apo sasi të mjaftueshme të vaksinës, mirëpo është koha që me fillua me ndërrua diçka. Shëndeti mendor është atakuar mjaftë, dhe sidomos për ata persona që e kanë kaluar Covid-19 të cilët kanë kaluar nëpër disa sfida dhe në një luftë në vete që ata kanë pasur”, theksoi tutje ai.
Tutje ai thotë se prapë se prapë Kosova sa i përket shëndetit mendor në komunitet qëndron më mirë se disa shtete të rajonit, por që duhet më shumë organizim dhe t’i kushtohet më shumë rëndësi shëndetit mendor sesa politikës.
“Pa aspak modesti, po them që shëndetin mendor e kemi më të mirin në rajon, shumë shtete kanë dështuar dhe e kemi më mirë se Shqipëria gjithmonë duke u bazuar në shëndetin mendor në komunitet. Na duhet më shumë punë në organizimin tonë dhe me i ditë se cilat janë kapacitetet dhe mundësitë tona nëse rritet një numër më i madh që të organizohemi, ne kemi në kuptimin e ekspertëve vetëm të dimë të organizohemi që të dinë popullata që nuk ka arsye për stigmatizim, se kjo nuk është një sjellje jona e jashtëzakonshme por thjesht një reagim i joni në rrethana të jashtëzakonshme, dhe ne gradualisht duhet ti kthehemi normalitetit. Pak hapësirë t’i jepet politikës, e më shumë shëndetit mendor”, përfundoi ai.
E në anën tjetër edhe Sociologu, Ferdi Kamberi, thotë se shëndeti mendor është primar dhe se duhet një fuqizim dhe bashkim tejet i madh në këtë aspekt nga institucionet duke përmendur faktin se pasojat e pandemisë do shfaqen më vonë.
“Isha lidhur në teorinë e një sociologu të famshëm gjerman, ku thotë se shoqëria moderne duhet të mësohet të jetoj me rreziqet sepse ndoshta kjo pandemi Covid-19 nuk do të jetë mysafir i vetëm i paftuar në shoqërinë moderne dhe ne në një ose tjetër mënyrë duhet të adaptohemi dhe të bashkohemi në kuptimin e një integrimi sa më të mirë social dhe të raporteve shoqërore sepse pandemia jo vetëm se ka shkaktuar atë distancën fizike por ka ndikuar tek shëndeti mendor”.
“Pasojat padyshim që nuk do të shfaqen tani por do vazhdojnë edhe më tej e sidomos tek kategoria ma e margjinalizime ose kategoria që është prekur në këtë pandemi, dhe mendoj që institucionet relevante duhet të krijojnë strategji se si të përmirësojmë shëndetin mendor, si t’i krijojmë raportet sociale dhe ndoshta jo me kontakte fizike por me ato sociale. Bashkërisht shoqëria civile por edhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit duhet të punojnë në mënyrë që përmes kampanjave të vetëdijesimit, përmes politikave të ndryshme, të fuqizojnë aspektin e shëndetit mendor sepse mbi të gjitha unë mendoj që shëndeti mendor është primare dhe ne duhet fokusin ta kemi në këtë drejtim”, tha ai.
Tutje, Kamberi thekson se është rritur dukshëm numri i të interesuarve për shërbime psikologjike. Sipas tij kjo ka ndodhur si pasojë e pandemisë, dhe si rrjedhojë e fillimit të heqjes së kompleksiteti për të kërkuar ndihmë profesionale.
“Kemi komunikime të shumta edhe me kolegët tonë, qofshin ata psikologë ose sociologë dhe kemi parë që numri i rasteve të personave që kërkojnë ndihmë është rritur dukshëm dhe kjo ka dy anë, e para vërehet që personat në nevojë që marrin shërbime psikologjike shihet që është rritur ky numër edhe e dyta është një element pozitiv që e shoh është se ka fillua shoqëria kosovare të lirohet në atë kompleksitetin që mos të vizitojnë një psikolog sepse unë kam probleme apo diçka të tillë”, theksoi tutje ai.
Ai thotë se duhet një fuqizim nga të gjithë akterët për të tejkaluar krejt këtë situatë sidomos për personat që janë ndikuar më së shumti nga pandemia, dhe se patjetër edhe lirimi i masave do ndikoj pozitivisht në këtë drejtim.
“Tash duhet pritur edhe sinjalet nga OBSh-ja lidhur me lirimin e masave, sepse ne sa po fillojmë m’i lirua masat edhe si shoqëri dhe jo vetëm në Kosovë por edhe kudo, dhe po shohim që po ka një shpërfaqje enorme të rasteve, dhe në këtë drejtim nuk duhet harruar që kemi variante të reja të Covid-19. Duhet një fuqizim dhe bashkim më i madh i institucioneve të vendit së bashku me akterë duke përfshirë këtu sociologë, psikologë, qendrat për punë sociale, shkollat dhe të gjithë bashkë”, përfundoi ai.