Në vigjiljen e vitit të ri 1996, presidenti Ibrahim Rugova e ftoi për ftesë kundërshtarin e tij politik Adem Demaçin, i cili atëherë ishte në krye të Partisë Parlamentare të Kosovës.
Ata të dy u shfaqën të relaksuar e miqësorë në këtë takim, duke përmendur edhe kundërshtitë që kishin mes vete, por që të dy e potenconin se koha në të cilën po e sfidonin njëri-tjetrin i kërkonte të bashkuar edhe nga këndet e ndryshme partiake.
Pamjet nga ky takim i ka publikuar sot fotoreporteri Ilaz Bylykbashi, i cili tha se fotografitë e tij e shfaqin më së miri “atë çfarë ndodhi në pritjen e organizuar nga presidenti për vitin e ri 1996”.
“Desha t’i them zotërit President… kam ardhur me kënaqësi që t’iu tregoj të tjerëve se ne do të konkurojmë, do të bëjmë luftë politike, por mos të shpresojë dikush se ne do të bëjmë luftë personale deri aty sa do ta prekim interesin kombëtar”, i kishte thënë Demaçi Rugovës në tubimin festiv.
Derisa në përgjigje, Rugova tregoi mirëkuptimin për deklaratën e Demaçit.
“Lufta politike – edhe pse në këtë kohë të gjithë jemi në një kazan, por këto shkojnë dhe kalojnë, lufta politike për ta bërë më mirë…”.
Në cilësinë e presidentit, Rugova falënderonte Demaçin dhe gjithë aktorët politikë të asaj kohe për veprimtarinë që bënin.
“Shpresoj që në vitin e ardhshëm të vazhdoni më me ngulm punën dhe veprimtarinë tuaj për Kosovën e lirë dhe të pavarur që po e bëjmë përditë. Ju faleminderit dhe gëzuar!”./Gazeta Express/