Në lidhje me procesin e vaksinimit, gjendjen me COVID-19, në Komunën e Preshevës, interesimin e qytetarëve për tu vaksinuar dhe efektet e mundshme anësore pas marrjes së kësaj vaksinë, në një intervistë për Telegrafin ka folur drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Driton Salihu.
Salihu ka thënë se rastet me COVID-19 gjatë javës së fundit janë rritur, ndërkaq një numër i madh i qytetarëve tashmë kanë marrë edhe dorën e dytë të vaksinës anti-COVID.
“Javën e fundit është shënuar një rritje të numrit të atyre që janë pozitiv. Në Preshevë zakonisht janë 8 deri në 10 persona pozitiv, ndërkaq për kontroll paraqiten 50 pacientë që kanë simptoma febrile. Në janar kemi pasur më vështirë. I kemi pasur 78 pozitiv, por që nuk kanë qenë raste shumë të rënda”, tha Salihu.
Sa i përket numrit të të vdekurve nga coronavirusi, Salihu tha se nuk i marrin raportet nga spitalet dhe nuk e posedojnë numrin e saktë të personave që kanë humbur betejën me COVID-19.