Zyra e Presidentit të Kosovës në pesë raste, gjatë vitit 2020, kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve, me vlerë totale prej 24 mijë e 220 euro, pa bërë shpallje publike.
Kështu thuhet në raportin vjetor të Zyrës së Auditorit për këtë institucion.
“Në pesë (5) raste të testuar në vlerë 24,220€, Zyra e Presidentit kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve të cilat kishin bërë kërkesë për financimin e projekteve të tyre. Për këto subvencione, nuk ishte bërë shpallje publike.
Kjo ka ndodhë pasi që procedura e dhënies ishte bërë bazuar në udhëzimin e brendshëm për procedurat e ndarjes së subvencioneve i cili nuk parasheh thirrje publike lidhur me mbështetjen financiare ndaj OJQ-ve”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, mbështetja financiare e OJQ-ve pa thirrje publike ndikon në kufizimin e konkurrencës dhe përzgjedhjes së përfituesve.
Prandaj Auditori rekomandon që “Sekretari i Përgjithshëm, duhet të sigurojë që mbështetja financiare e OJQ-ve do të bëhet përmes thirrjes publike dhe kërkesave tjera të rregullores MF-Nr.04/2017, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, lidhur me gjithë ciklin e ofrimit të mbështetjes financiare”.