Tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë në mesin e shtatë personave të arrestuar në aksionin “Brezovica 6”.
Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express prokurori i rastit “Brezovica” Rasim Maloku.
“Tre të arrestuar janë të MMPH”, tha Maloku për Express.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se në vazhdimësinë e aksionit “Brezovica 6”, janë kontrolluar 11 lokacione, nga këto lokacione 8 ishin në Prishtinë, 2 në Podujevë dhe 1 në Fushë Kosovë.
Prokuroria konfirmoi se ndaj shtatë të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, si dhe u bë e ditur se brenda afatit ligjor, pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Të njëjtit dyshohen për veprat penale, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Gazetën Express se në mesin e personave të arrestuar është edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu.
Prokurori Rasim Maloku tha se Lahu dyshohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.