Gjatë vitit 2018, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Të dhënat, bazohen në shënimet e Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku thuhet se gjatë vitit 2018, kanë lindur 9.985 foshnje, prej të cilave 65 nga nënat e moshës jo madhore.
Ndërkaq, gjatë këtij viti, në periudhën janar – 26 shtator, kanë lindur 7.176 foshnje, ku prej tyre 26 foshnje nga nënat e moshës jo madhore.
Jo rrallë, sociologë dhe psikologë kanë ngritur si temë çështjen e edukatës seksuale si lëndë që do të duhej të përfshihej në shkolla. Por, deri më tani, Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk e kanë përfshirë këtë lëndë. Një nga arsyetimet ka qenë se për edukatën seksuale mësohet në disa nga lëndët aktuale.
Dea (emri i plotë i njohur për REL-in) është nxënëse e shkollës së mesme dhe thotë se sa i përket informimit përmes sistemit arsimor, apo informatave nga familja rreth edukatës seksuale, ato janë nën zero.
“Sa u përket njohurive që i kam marrë prej arsimit ose familjarëve, mund të them jam informuar zero për qind. Por, është interneti dhe sot mund të hulumtosh gjithçka dhe jam e njoftuar pak a shumë për edukatën seksuale, nëse kam pasur interesim për diçka”.
“Mendoj që prej shkollës fillore duhet të fillojë të aplikohet lënda e Edukatës seksuale, në sistem të arsimit. Kjo për shkak të mungesës së njohurisë për këtë fushë dhe shumë të mitur mund të marrin sëmundje të transmetueshme seksualisht, por edhe ka raste të shtatzënive”, thotë Dea.