Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka dërguar një letër publike ministrit të Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, nëpërmjet thotë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është dashur të jetë ministri në vete, sepse sipas tyre ministrit Murati nuk po i del kohë që së paku një ditë të ndjehet edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Më tej, SBASHK-u thotë se nuk ka qëllim që ta vlerësoj punën e ministrit Murati, por që sipas tyre i njëjti po i ikën kërkesave të tyre dhe sindikatave të tjera për takime dhe për të zhvilluar dialogun social e për të dëgjuar kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve në sektorët tjerë.
“Ministër Murati, ka kohë që nuk është mbajtur as edhe një takim i Këshillit Ekonomik Social, ka kohë që SBASHK-u ju ka dërguar shkresa e njoftime për kërkesat e anëtarësisë sonë, ka kohë që ju kemi dërguar edhe kërkesa zyrtare për takim e për të bashkëbiseduar për çështje të rëndësishme e që janë kërkesa të punëtorëve në sektorin e arsimit, por ju i nderuar Ministër , sikur keni qasje, apo edhe bindje të gabuar nda sindikatave dhe , nëse është kështu, atëherë kjo është keq”.
“Është keq sepse sa herë kanë munguar takimet dhe dialogu, atëherë gjërat janë përkeqësuar, janë shtuar pakënaqësitë e tensionet dhe pastaj ka ardhur, pa dëshirën e SBASHK-ut dhe ndonjë sindikate tjetër, edhe te veprimet sindikale dhe kur vjen puna deri aty, atëherë, kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën, takimet dhe dialogu humbin shumë vlerën e tyre”, thuhet në letrën publike të SBASHK-ut.
Në fund, SBASHK-u i ka kërkuar ministrit Murati që të jetë edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe se duhet të takohet me sindikatat dhe t’i jap shtytje dialogut të mirëfilltë social.