Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të bartin pacientë me numër të kufizuar të autoambulancave. Ndërsa, ndonëse vonesa e tyre mund të kushtojë edhe me jetë, rastet kur autoambulancat nuk paraqiten me kohë, nuk janë të pakta në Kosovë. Derisa vendi tashmë disa vite ka në dispozicion vetëm rreth 100 autoambulanca, numri i veturave zyrtare në përdorim ka qenë mbi 900.
Rreth dy orë pretendohet se është vonuar autoambulanca e thirrur për vetëaksidentin që ndodhi më 4 qershor të këtij viti në fshatin Gadime të Lipjanit, ku si pasojë një 12 vjeçar nuk mundi t’i përballojë plagët e marra. Kështu së paku janë shprehur për media dëshmitarë të aksidentit.
“Rreth orës 14:00 ka ndodhë një vetëaksident, ku ka mbetur i vdekur një 13 vjeçar dhe dy tjerë janë lënduar. Vetura ka qenë ne shpejtësi të madhe, policia është vonuar shumë, kurse autoambulanca ka ardh pas dy orëve. Lipjani nuk është aq larg që të vonohen aq shumë”, ka thënë ditë më parë Ardit Ajeti për media.
Reklamë
E për këto raportime është njoftuar edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan e drejtoria për Shëndetësi në këtë komunë.
Drejtori i kësaj qendre, Agim Krasniqi, ka thënë për Express se autoambulanca është nisur në momentin kur është lajmëruar nga Policia e Kosovës, në orën 15:03.
Ndërsa, Krasniqi është shprehur se mund ta kuptoj se në këto raste të rënda 1 minutë vonesë qytetarëve u duket si 1 vit.
“Ne e kemi nis autoambulancën pas thirrjes së policisë diku në orën 15:03 minuta dhe menjëherë është intervenuar, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe është transferuar pacienti për në QKUK. Është bërë edhe reanimimi i pacientit në shtratin e autoambulancës për t’i ndihmuar sa më shpejt”, ka deklaruar ai.
Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Merita Bytyqi ka deklaruar për Express se autoambulanca është nisur pas thirrjes së policisë dhe ka arritur në vendin e ngjarjes 5 minuta pas policisë.
Megjithatë, ajo ka thënë se janë në proces të investigimit të gjithë kësaj ngjarje dhe do të shohin nëse ka pas shkelje apo parregullsi në gjithë procesin, pasi të marrin edhe informacionet e duhura nga policia.
“Autoambulanca është nisur menjëherë pas thirrjes nga policia dhe ka arritur në vendin e ngjarjes menjëherë pas policisë diku rreth 5 min pas policisë. Thirrja për aksidentin ka ardhur rreth orës 15 e 03min. Ekipa ka arritur ta reanimoj dhe dërgoj të gjallë pacientin në QKUK”, ka deklaruar ajo.
Mirëpo, ky nuk është rasti i parë kur raportohet për vonesë të autoambulancës në rastet kur qytetarët janë në rrezik për jetë, aq më shumë kur institucionet publike shëndetësore kanë në dizpozicion për rreth 1.8 milionë banorë, vetëm rreth 100 autoambulanca( Shumë prej tyre në gjendje jo të mirë).
Ndonëse ende nuk kanë pranuar ankesë për vetëaksidentin me fatalitet në Lipjan, zëvendësi i detyrës së kryeinspektorit Shëndetësor, Shaban Osmanaj, ka treguar për Express se kanë pranuar një ankesë nga një qytetarë i Komunës së Malishevës për vonesën e autoambulancës në rastin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të familjarit të tij.
Ai ka theksuar se ankesa është në trajtim nga inspektorati dhe se inspektorët e rastit janë në përpilim të raportit dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren veprimet e mëtutjeshme.
“Lidhur me vetëaksidentin e datës 4 qershorit 2021, ku një fëmijë ka humbur jetën, ne si Inspektorat nuk kemi pasur informatë, ankesë, apo kërkesë për hetim të rastit në fjalë. Ne ju njoftojmë se kemi pasur një ankesë të një qytetari nga Komuna e Malishevës, ku është ankuar për vonesë të autoambulancës, pasi që familjari i tij kishte qenë i sëmurë”, ka deklaruar ai.
Shumë aksidente, pak autoambulanca
Derisa numri i aksidenteve që po shkaktohen në vend vazhdon të jetë i lart, institucionet publike shëndetësore edhe këtë vit kanë numër të kufizuar të autoambulancave.
Drejtori i QKMF’së në Lipjan, Agim Krasniqi ka treguar se kanë nevojë edhe për një autoambulancë dhe për një automjet të dializës.
Ndërsa, drejtoresha e QKMF’së në Ferizaj, Nadire Ymeri ka thënë për Express se ata janë të furnizuar me 6 autoambulanca, por po të kishin edhe një, do të ishte shumë më mirë.
Megjithëse, ajo është shprehur se askush nuk u ka kërkuar të dhëna për nevojat e tyre sa i përket autoambulancave.
Ndërsa, numër të vogël të autoambulancave kanë edhe spitalet rajonale, të cilat në mungesë të disa shërbimeve shëndetësore, detyrohen t’i transferojnë pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë bërë të ditur për Express se QKUK ka 12 autoambulanca, Spitali i Pejës ka 8, Spitali i Prizrenit 4, Spitali i Gjakovës 4, Spitali i Vushtrrisë 2, Spitali i Mitrovicës 4, Spitali i Gjilanit 4 dhe ai i Ferizajt 2.
Zyrtari për informim në Spitalin e Prizrenit, Shefajet Berisha, ka treguar po ashtu se janë të furnizuar me 4 autoambulanca, të cilat janë në dispozicion 24 orë për bartjen e pacientëve.
Ndërsa, nga Spitali i Pejës kanë treguar për gazetën se janë të furnizuar me 8 autoambulanca të cilat janë në gjendje të rregullt dhe mbikëqyren me GPS.
Derisa edhe institucionet tjera shëndetësore nuk janë të furnizuara mjaftueshëm me autoambulanca, çështja e mungesës së tyre, e vonesa e tyre në raste të shumta, nuk po ngritet në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë për Express se kanë pranuar ankesa për vonesat e autoambulancave, por që sipas tij, diskutimi i çështjeve të tilla po varet nga mazhoranca.
“Kryetarja e komisionit e bënë agjendën, ata po i kanë votat dhe çfarëdo që po propozojmë ne ata me vota po e mundin. Ne kemi marrë disa ankesa për autoambulanca. Kemi kërkuar por nuk është në rend të ditës. Ne po varemi nga kryetarja dhe mazhoranca sa i përket agjendës”, ka shtuar ai.
Kush është fajtori?
Derisa numri i aksidenteve po vazhdon të jetë i lartë, e shumë prej aksidenteve po përfundojnë edhe me fatalitet, njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, vozitja nën ndikimin e alkoolit, e mosvetëdijësimi i qytetarëve janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për Express se qytetarët nuk kanë mjaftueshëm ndërgjegjësim gjatë vozitjes e nuk janë të edukuar se si të sillën në trafik.
Ndërsa, ai është shprehur se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes e vozitja nën ndikimin e alkoolit janë shkaktarët kryesor të aksidenteve në trafik.
“Ne nuk kemi ndërgjegjësim të mjaftueshëm të qytetarëve. Neve na mungon një kulturë e sjelljes, një edukim për vozitje. Qytetarët nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm pasi që edhe shenjat e komunikacionit i dëmtojnë. Ndërsa komunikimi me telefon gjatë vozitjes dhe vozitja nën ndikimin e alkoolit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve”, ka thënë ai.
Kajtazi ka deklaruar se as kontrollet e shpeshta të policisë nuk po funksionojnë në uljen e numrit të aksidenteve në trafik.
Ndërsa, ai ka ngritur edhe çështjen e dhënies së patentë-shoferëve.
“Policia po organizon kontrolle me radar e aksione, por kjo s’po funksionon. Duhet të bëhet edhe një rilicencim i autoshkollave e të ketë më shumë kontrolle”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë që numri i veturave zyrtare në Kosovë, është shumë më i madh se i autoambulancave për bartjen e qytetarëve.